Tuesday, March 11, 2014

“MILIONERI” SHQIPTAR


 








Ne shqiptarët, në qoftë se nuk e kemi arritur botën me të arritura të tjera, në shkencë, kulturë, infrastrukturë etj., me spektakle aspak nuk jemi pas Evropës. Ndër to mund të përmendet  spektakli  “Big Brother”, që shqiptarët e bënë ndoshta“më mirë” se krejt vendet evropiane, dhe spektakli tjetër, i shumëpritur “Kush dëshiron të bëhet milioner”? Ky spektakël që e kishte përfshirë , pothuaj tërë Europën, së fundi, erdhi edhe në trevat shqiptare.u gjetën sponsored, u caktuan qendrat TV për tansmetime eksklusive dhe vendi ku do të bëhej ky kuiz mbarëshqiptar. Një ndryshim nga “milionerët” europianë është se, pasi që ne nuk kemi standard  të ofrojmë për fitusin 1.000.000 euro, siç është për Europën,  për ne u caktua shuma 19 herë më e vogël! S’prish punë! Mirë. Kaq e kemi “kaçikun” kaq edhe mundemi. Megjithatë është absurde po t’i tregosh ndonjë të huaji se “milioni” shqiptar është vetëm një e njëzeta e milionit real! S’do koment.

      Dhe vërtetë për ne është një sasi bukur  e madhe, kur të kihet para sysh  standardi jonë. Megjithatë përpiluesit e spektaklit e lanë si “model” fjalën “milioner”. Ku ta dish ndoshta nga dëshira për t’u bërë “milioner”  qoftë edhe me një të njëzetën e asaj çfarë thuhet. Sado që ky çmim, edhe në këtë sasi, do të ishte i favorshëm për çdo pjesëmarrës, por në mënyrën që është duke u bërë ky spektakël s’besoj se dikush do të ketë fatin  për të arritur deri tek pyetja e 15-të për ta marrë, qoftë edhe këtë çmim.

Duke i anashkaluar këto, mund të themi se spektakli ishte një kopje  shumë besnike e atyre që bëhen në Evropë: si skena, si muzika, si efeketet muzikore të gjitha si në perëndim, por jo edhe përmbajtja e cila do të jetë temë trajtimi këtu.  

Më rastisi të shikoj në televizior (një ditë) një emision që iu kishte kushtuar “Milionerit” shqiptar. Dhe çka të shohesh, pothuaj të gjithë të intervistuarit kuizin e çuan në qiell. Sigurisht për  interesimin e madh që ka zgjuar  në trevat shqiptare, për bashkimin e mendjeve të të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre etnike etj.

Mirë fort! Në këtë pikë edhe unë pajtohem. Por duhet ta dinë të gjithë, e në rend të parë sajuesit e spektaklit se “krejt çka fluturon nuk hahet”. Se Brenda këtij spektakli ka shumëçka të rishikohet.

Nëse ata zotërinj vërtetë dëshirojnë të bëjnë  një program që  do të quhej serioz, në favor të spektatorit dhe të pjesëmarrësve, pse nuk e moren nga vendet perëndimore edhe  faktin për të bërë libër për të gjitha pyetjet e përgjigjet (ose për shumicën e pyetjeve), siç është në Britani të Madhe p.sh. Nuk e bënë këtë ndoshta se me botimin e një kësi libri atyre do t’iu shkurtohet fitimi! Ku ta dish?! Duke e pasur librin në dorë secili pjesëmarrës do të ishte  i njohtuar paraprakisht për atë së çfarë kërkohet në kuiz dhe thënë shkurt do  të përgatitej dhe sigurisht nuk do të kishin ardhur në kuiz dhe të qëndronin para syve të botës të zënë ngusht.

Edhe në libër pyetjet duhet të jenë ato që i përkasin kulturës së përgjithme, si asaj kombëtare  poashtu edhe asaj ndërkombëtare, si nga  shkencat shoqërore dhe ato të sakta, nga sporti etj.  Por me formulimin e pyetjeve në mënyrë se si kanë dalur deri sot, vetëm një pjesëmarrës arriti t’i fitonte 3000 euro, domethënë të shkonte deri në pyetjen e dhjetë. Gati të gjithë të tjerët mbetën në pragun e parë. Nuk e di se a e kanë vra mendjen   përpiluesit e spektaklit pse asnjë pjesëmarrës nuk doli në maje? Pra asnjë nuk e mori atë pesëdhjetë mijëshin e premtuar.

Edhe për vetë spektaklin është mossukses dhe turp që prej të gjithë pjesëmarrësve të këtij spektakli, për një sezon, asnjë kandidat të mos mund të kalojë  krejt  deri në fund. Nuk është problemi se shqiptarët janë të paditur. Se janë më të paditur se anglezët , francezët etj., të cilët jo rrallë shkojnë deri afër, madje edhe  e fitojnë edhe preminë. Problemi është se njerëzit tanë, siç thamë edhe më lart, nuk kanë ku t’i mësojnë gjithë ato  pytje për t’i ditur përgjegjet. Ose ndoshta edhe mund t’i mësojnë, por duhet t’i blejnë secili që e ka ndër mend të konkurrojë nga disa enciklopedi botërore. Ku ta dish? 

Duke u nisur nga kjo praktikë, jemi të mendimt që përpiluesit e kuizit janë në dijeni që kërkush nuk mund të arrijë në maje, madje as ata vetë po të dalin në atë  “karrigen e nxehte”, siç po vazhdon të thotë udhëheqësi  kuizit, nuk besoj se do të mund të arrijnë  t’i marrin 50.000 euro. Kam përshtypjen se më shumë se spektakël organizuesit po bëjnë biznes për vete. Zgjate o  Zot! E ata që ulen  në “karrigën e nxehtë” do të “segëlltisen” pse nuk e ditkan se Unioni afrikan  i paska 54, 53, 52 a 51 shtete! Fundja, pse qenka aq relavante ta dijë një shqiptar se sa shtete qenkan në Unionin afrikan?. A ka diçka shumë të rëndësishme  për  pjesëmarrësin se në vend të 54 shtete, sa i paska ky union, paska “menduar” gabimisht se janë 53  dhe e ka humbur konkursin! Hiç asgjë. Mos u çuditni që, nëse vazhdon kështu spektakli, një ditë ndonjërit nga pjesëmarrësit do të mund t’i bijnë edhe kësi lloj pyetjesh, si: Kush ka qenë djali i tezës së Skënderbeut!? Ose “Kush e ka luajtur rolin e Dinit ne dramën “Karavani i Bardhë” në Ferizaj më 1971. Hajde e gjeje tani! Dhe mu për këtë ai , ose ajo do ta humb konkursin.

Një tjetër çështje që duhet të potencohet këtu është edhe çështja e udheqësit të spektaklit. Ai zotëri duhet ta dijë se ekrani  është një sopatë me dy tehe njëri të afirmon, po  tjetri të gropon. Ai duhet të jetë original, jo të imitojë atë apo këtë prezentues. Për atë punë ai duhet të jetë shumë më i përgatitur. P.sh. shpesh më ka rënë të dëgjoj, që në vend të: “N.N.  në kuizin “Kush dëshiron të bëhet milioner” , ai thotë: “N.N. para meje”!? Po kush je ti more zotëri? Çfarë po të duket vetja? A ke parë ndonjë udhëheqës tjetër të këtyre spektakleve të thotë një gjë të tillë?

Shkojmë më tutje. Duke dashur ky zotëri që të bëhet ndonjë showman, ose  ku ta di unë se çfarë, ai shpesh i ka hedhur pjesëmarrësit në pozita të vështira, të pa lakmueshme. Me një rast një kandidat shfrytëzoi  ndihmën e telefonatës dhe mori përgjegje të saktë nga shoku përtej telit, dhe “udhëheqësi”  insistone të dinte, me çdo kusht, se sa të holla tani do t’ia jepte atij që e ndihmoi!? Qesharake! Ose u thoshte shpesh kandidatëve (kur ata e përfundonin kuizin): “Të hollat e fituara i harxhofsh me shokë” , ose “Ku do t’i harxhosh të hollat?” O tempora o mores ! Po ç’janë këto fjalë mor zotëri? A mos ia keni dhënë atij ose asaj të hollat tuaja? A mos ia paske dhënë ti ato para një fëmije për ta blerë gazetën aty në kiosk dhe po interesohesh se mos ai po i harxhoka për ndonjë qëllim tjetër!? Ai ose ajo i ka fituar me dijen e vetë zotëri. A e di zotërote se  me pyetje të tilla i turpëron ata, veten dhe kuizin në përgjithësi.

Në fund të fundit ky është “milioneri” shqiptar dhe si fillim le ta shikojmë nëpër gishta. Por nëse këto  lajthime do të vazhdojnë në ndodhin edhe në  sezonin vjeshtor nuk do të justifikohen më. Mendojmë se  këto vërejtje dashamirësie  do të shkojnë në adresë të duhur që, vazhdimi i këtij spektakli, siç thamë, të jetë shumë më i organizuar, në mënyrë që të kemi edhe ne shqiptarët një spektakël të kësaj natyre me vlera të larta.

Le të shpresojmë. 

Sami  ISLAMI




No comments:

Post a Comment