Ne shqiptarët, në qoftë se nuk e kemi arritur
botën me të arritura të tjera, në shkencë, kulturë, infrastrukturë etj., me
spektakle aspak nuk jemi pas Evropës. Ndër to mund të përmendet
spektakli “Big Brother”, që shqiptarët e bënë ndoshta“më mirë” se krejt
vendet evropiane, dhe spektakli tjetër, i shumëpritur “Kush dëshiron të bëhet
milioner”? Ky spektakël që e kishte përfshirë , pothuaj tërë Europën, së fundi,
erdhi edhe në trevat shqiptare.u gjetën sponsored, u caktuan qendrat TV për
tansmetime eksklusive dhe vendi ku do të bëhej ky kuiz mbarëshqiptar. Një
ndryshim nga “milionerët” europianë është se, pasi që ne nuk kemi
standard të ofrojmë për fitusin 1.000.000 euro, siç është për
Europën, për ne u caktua shuma 19 herë më e vogël! S’prish punë! Mirë.
Kaq e kemi “kaçikun” kaq edhe mundemi. Megjithatë është absurde po t’i tregosh
ndonjë të huaji se “milioni” shqiptar është vetëm një e njëzeta e milionit
real! S’do koment.
Dhe vërtetë për ne
është një sasi bukur e madhe, kur të kihet para sysh standardi
jonë. Megjithatë përpiluesit e spektaklit e lanë si “model” fjalën “milioner”.
Ku ta dish ndoshta nga dëshira për t’u bërë “milioner” qoftë edhe me një
të njëzetën e asaj çfarë thuhet. Sado që ky çmim, edhe në këtë sasi, do të
ishte i favorshëm për çdo pjesëmarrës, por në mënyrën që është duke u bërë ky
spektakël s’besoj se dikush do të ketë fatin për të arritur deri tek
pyetja e 15-të për ta marrë, qoftë edhe këtë çmim.
Duke i anashkaluar këto, mund të themi se
spektakli ishte një kopje shumë besnike e atyre që bëhen në Evropë: si
skena, si muzika, si efeketet muzikore të gjitha si në perëndim, por jo edhe
përmbajtja e cila do të jetë temë trajtimi këtu.
Më rastisi të shikoj në televizior (një ditë) një
emision që iu kishte kushtuar “Milionerit” shqiptar. Dhe çka të shohesh,
pothuaj të gjithë të intervistuarit kuizin e çuan në qiell. Sigurisht për
interesimin e madh që ka zgjuar në trevat shqiptare, për bashkimin e
mendjeve të të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre etnike etj.
Mirë fort! Në këtë pikë edhe unë pajtohem. Por
duhet ta dinë të gjithë, e në rend të parë sajuesit e spektaklit se “krejt çka
fluturon nuk hahet”. Se Brenda këtij spektakli ka shumëçka të rishikohet.
Nëse ata zotërinj vërtetë dëshirojnë të
bëjnë një program që do të quhej serioz, në favor të spektatorit
dhe të pjesëmarrësve, pse nuk e moren nga vendet perëndimore edhe faktin
për të bërë libër për të gjitha pyetjet e përgjigjet (ose për shumicën e
pyetjeve), siç është në Britani të Madhe p.sh. Nuk e bënë këtë ndoshta se me
botimin e një kësi libri atyre do t’iu shkurtohet fitimi! Ku ta dish?! Duke e
pasur librin në dorë secili pjesëmarrës do të ishte i njohtuar
paraprakisht për atë së çfarë kërkohet në kuiz dhe thënë shkurt do të përgatitej
dhe sigurisht nuk do të kishin ardhur në kuiz dhe të qëndronin para syve të
botës të zënë ngusht.
Edhe në libër pyetjet duhet të jenë ato që i
përkasin kulturës së përgjithme, si asaj kombëtare poashtu edhe asaj
ndërkombëtare, si nga shkencat shoqërore dhe ato të sakta, nga sporti
etj. Por me formulimin e pyetjeve në mënyrë se si kanë dalur deri sot,
vetëm një pjesëmarrës arriti t’i fitonte 3000 euro, domethënë të shkonte deri
në pyetjen e dhjetë. Gati të gjithë të tjerët mbetën në pragun e parë. Nuk e di
se a e kanë vra mendjen përpiluesit e spektaklit pse asnjë
pjesëmarrës nuk doli në maje? Pra asnjë nuk e mori atë pesëdhjetë mijëshin e
premtuar.
Edhe për vetë spektaklin është mossukses dhe turp
që prej të gjithë pjesëmarrësve të këtij spektakli, për një sezon, asnjë
kandidat të mos mund të kalojë krejt deri në fund. Nuk është
problemi se shqiptarët janë të paditur. Se janë më të paditur se anglezët ,
francezët etj., të cilët jo rrallë shkojnë deri afër, madje edhe e fitojnë
edhe preminë. Problemi është se njerëzit tanë, siç thamë edhe më lart, nuk kanë
ku t’i mësojnë gjithë ato pytje për t’i ditur përgjegjet. Ose ndoshta
edhe mund t’i mësojnë, por duhet t’i blejnë secili që e ka ndër mend të
konkurrojë nga disa enciklopedi botërore. Ku ta dish?
Duke u nisur nga kjo praktikë, jemi të mendimt që
përpiluesit e kuizit janë në dijeni që kërkush nuk mund të arrijë në maje,
madje as ata vetë po të dalin në atë “karrigen e nxehte”, siç po vazhdon
të thotë udhëheqësi kuizit, nuk besoj se do të mund të arrijnë t’i
marrin 50.000 euro. Kam përshtypjen se më shumë se spektakël organizuesit po
bëjnë biznes për vete. Zgjate o Zot! E ata që ulen në “karrigën e
nxehtë” do të “segëlltisen” pse nuk e ditkan se Unioni afrikan i paska
54, 53, 52 a 51 shtete! Fundja, pse qenka aq relavante ta dijë një shqiptar se
sa shtete qenkan në Unionin afrikan?. A ka diçka shumë të rëndësishme
për pjesëmarrësin se në vend të 54 shtete, sa i paska ky union, paska
“menduar” gabimisht se janë 53 dhe e ka humbur konkursin! Hiç asgjë. Mos
u çuditni që, nëse vazhdon kështu spektakli, një ditë ndonjërit nga
pjesëmarrësit do të mund t’i bijnë edhe kësi lloj pyetjesh, si: Kush ka qenë djali i tezës së Skënderbeut!? Ose “Kush e ka luajtur rolin e Dinit ne dramën “Karavani i Bardhë”
në Ferizaj më 1971. Hajde e gjeje tani! Dhe mu për këtë ai , ose ajo do ta humb
konkursin.
Një tjetër çështje që duhet të potencohet këtu
është edhe çështja e udheqësit të spektaklit. Ai zotëri duhet ta dijë se
ekrani është një sopatë me dy tehe njëri të afirmon, po tjetri të
gropon. Ai duhet të jetë original, jo të imitojë atë apo këtë prezentues. Për
atë punë ai duhet të jetë shumë më i përgatitur. P.sh. shpesh më ka rënë të
dëgjoj, që në vend të: “N.N. në kuizin “Kush
dëshiron të bëhet milioner” , ai thotë: “N.N. para meje”!? Po
kush je ti more zotëri? Çfarë po të duket vetja? A ke parë ndonjë udhëheqës
tjetër të këtyre spektakleve të thotë një gjë të tillë?
Shkojmë më tutje. Duke dashur ky zotëri që të
bëhet ndonjë showman, ose ku ta di unë se çfarë, ai shpesh i ka hedhur
pjesëmarrësit në pozita të vështira, të pa lakmueshme. Me një rast një kandidat
shfrytëzoi ndihmën e telefonatës dhe mori përgjegje të saktë nga shoku
përtej telit, dhe “udhëheqësi” insistone të dinte, me çdo kusht, se sa të
holla tani do t’ia jepte atij që e ndihmoi!? Qesharake! Ose u thoshte shpesh
kandidatëve (kur ata e përfundonin kuizin): “Të hollat e fituara i harxhofsh me
shokë” , ose “Ku do t’i harxhosh të hollat?” O tempora o mores ! Po ç’janë këto fjalë mor zotëri? A mos ia keni dhënë atij
ose asaj të hollat tuaja? A mos ia paske dhënë ti ato para një fëmije për ta
blerë gazetën aty në kiosk dhe po interesohesh se mos ai po i harxhoka për
ndonjë qëllim tjetër!? Ai ose ajo i ka fituar me dijen e vetë zotëri. A e di zotërote
se me pyetje të tilla i turpëron ata, veten dhe kuizin në përgjithësi.
Në fund të fundit ky është “milioneri” shqiptar
dhe si fillim le ta shikojmë nëpër gishta. Por nëse këto lajthime do të
vazhdojnë në ndodhin edhe në sezonin vjeshtor nuk do të justifikohen më.
Mendojmë se këto vërejtje dashamirësie do të shkojnë në adresë të
duhur që, vazhdimi i këtij spektakli, siç thamë, të jetë shumë më i organizuar,
në mënyrë që të kemi edhe ne shqiptarët një spektakël të kësaj natyre me vlera
të larta.
Le të shpresojmë.
Sami ISLAMI





_1836,_Guttenberg.jpg)
